Janë në garë për 2 trofe, edhe pse asgjë tashmë nuk është në dorën e tyre – por te Liverpooli nuk heqin dorë dhe nuk dorëzohen.

Virgil van Dijk shpreson të përmbyset situata në krye të renditjes së Premierligw, ku “Reds” janë të dytët, me një pikë prapa Manchester City, me dy ndeshje për t’u mbyllur kampionati.

“Ne kemi edhe dy ndeshje të mbetura në kampionat, do të përpiqemi t’i fitojmë të dyja. Kjo është e vetmja gjë, që mbetet në dorën tonë. Të mbetemi të përqendruar dhe, nëse diçka ndryshon me Manchester City, do të jetë e mrekullueshme për ne. Nëse jo, ta përfundojmë sezonin me 97 pikë dhe me ndjenjën se kemi bërë gjithçka që mundej”, shprehet Van Dijk për faqen e internetit të klubit anglez.

Po ashtu, mbetet të luhet edhe gjysmëfinalja e kthimit të Ligës së Kampionëve, pas humbjes 3-0 në “Camp Nou”, kundër Barcelonës.

Për qendërmbrojtësin holandez, gjithçka është ende e mundur.

“Do të jetë një lojë shumë e vështirë. Katalanasit janë në një formë shumë të mirë, do të kenë pak më tepër kohë për ta përgatitur ndeshjen me ne. Kështu, do të jetë e komplikuar. Liverpool, gjithashtu, ka luajtur shumë mirë kohët e fundit. Humbja në Barcelonë është diçka që nuk e tregon potencialin tonë. Duam ta fitojmë ndeshjen e kthimit”, deklaroi Van Dijk.