Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Deçanit, raporton Gazeta Sinjali.
Në një familje në fshatin Dashinovc, vajza 19-vjeçare po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të saj, të cilin e ka grushtuar e shqelmuar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar vet babai 54-vjeçar, i cili ka deklaruar se vajza e tij e ka sulmuar fizikisht pas një zënke që patën në shtëpi, ku ajo fillimisht e kishte fyer e ofenduar e më pas e ka rrahur.
Përballë kësaj situate, ai ka kërkuar ndihmë, me ç’rast një njësi policore e ka shoqëruar të dyshuarën në stacion policor, ku pas përfundimit të procedurave, ajo ka përfunduar në mbajtje. Prokurori i Shtetit ka vendosur që t’ia caktojë masën e ndalimit policor për 48 orë, për veprën penale “dhunë në familje”.