Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një incident që ndodhi në rrugën ‘Ndue Përlleshi’ në Prishtinë, ku një grua u rrah nga ish i dashuri i saj.

Sinjali ka mësuar detaje të reja nga ngjarja, ku 39-vjeçarja është dërguar në Emergjencë si pasojë e plagëve të rënda që mori nga sulmi fizik nga ish i dashuri me të cilin bashkëjetoi disa vite.

Për dhunën që ia shkaktoi, i dyshuari njoftoi vetë familjarët e saj, ku kishte thirrur në telefon njerkën e viktimës dhe i kishte thënë se “une jam Z….. dhe çikën e juaj jau kom bo llom”.

Njerka kishte njoftuar vëllain e 39-vjeçares, i cili vetë e kishte dërguar motrën e tij në banesën e saj.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet policore, mirëpo nuk kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, pasi që i njëjti ndodhet në arrati. 39-vjeçarja nuk ka mundur të deklarohet lidhur me atë që ka ndodhur, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.