Ultimatum që tejkalon mandatin kushtetues është kualifikuar ai që presidenti Hashim Thaçi i ka dhënë kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në një shkresë adresuar të mërkurën, e në të cilën për të tretën herë i ka kërkuar që ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

Letra e Thaçit është nisur vetëm një ditë pasi Lidhja Demokratike (LDK) ka shprehur gatishmërinë për ta formuar Qeverinë me shumicën e partive në opozitë, shkruan KOHA.

Është kjo letra e tretë adresuar Kurtit, prej se Qeveria është rrëzuar me mocion mosbesimi, të cilin e kishte iniciuar LDK-ja ndonëse ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

Në të, kreu i shtetit ka dhënë sinjale se do ta kapërcejë fituesin e zgjedhjeve, përkatësisht LVV-në, në procesin e caktimit të mandatarit për formimin e Qeverisë së re. E ka bërë këtë, duke u thirrur në nenin kushtetues, sipas të cilit presidenti obligohet që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve, por edhe në pikën 87 të një Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që i referohet zgjedhjes së Qeverisë, dhe e cila pikë thekson se nuk përjashtohet mundësia që partia ose koalicioni fitues “të refuzojë të marrë mandatarin”.