UEFA sheh me sy të tjerë. Ajo ka vlerësuar se në fillim të tetorit, kur në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme nacionale, nuk ka siguri të mjaftueshme për një ndeshje ku rivale është Rusia.
Kësisoj, ndeshja kualifikuese për “Euro 2021” në konkurrencën e femrave në futboll ndërmjet Kosovës dhe Rusisë nuk do të zhvillohet në datën e paraparë, më 4 tetor. Ndeshja që duhet të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, është shtyrë për datë të pacaktuar. Vendimin e ka marrë UEFA, por nuk e ka publikuar për media, siç ka vepruar edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), shkruan sot Koha Ditore.
Është Federata e Futbollit e Rusisë (RFU) që të premten njoftoi për këtë vendim të UEFA-s, të cilin e kanë konfirmuar më pas edhe zyrtarët e FFK-së. Në sajtin zyrtar të UEFA-s figuron ende data 4 tetor për ndeshjen Kosova – Rusia, por jo edhe ora e këtij takimi.
“UEFA ka njoftuar federatën tonë për shtyrjen e ndeshjes eliminatore për Evropianin 2021 për femra ndërmjet Kosovës dhe Rusisë, që ishte e paraparë të luhej në Prishtinë më 4 tetor. Ky vendim është marrë për arsye sigurie. Data dhe vendi i këtij takimi do të caktohen më vonë, pasi të kryhen kontrollimet shtesë”, thuhet në njoftimin e Federatës ruse.
Në FFK kanë bërë të ditur se ndeshja sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet në muajin nëntor, në stadiumin e njëjtë. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se UEFA ka marrë vendim për shtyrjen e këtij takimi pasi dy ditë më vonë në Kosovë do të mbahen zgjedhjet nacionale. Sipas tij, UEFA nuk ka dashur që kjo përballje të përdoret për çështje politike nga rusët dhe serbët.
Sipas tij, UEFA nuk ka dyshuar në organizimin e mirë të ndeshjes, por është frikësuar prej faktorëve të tjerë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)