UEFA po mendon të përfundojë Ligën e Kampionëve brenda tri javëve gjatë muajit gusht. Shtëpia numër një e futbollit në Evropë është duke bërë përpjekje për të përfunduar garat si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në Ligën e Evropës.
UEFA fillimisht shtyu finalen e Ligës së Kampionëve për një muaj shkaku i koronavirusit, ndërsa tash e ka shtyrë në afat të pacaktuar.
Sipas “Sunday Express”, UEFA do të tentojë të organizojë ndeshjet e mbetura brenda një harku kohor prej tri javëve gjatë gushtit.
Mirëpo, garat ende janë në fazën e 1/8 së finales, ku vetëm RB Leipzig, Atletico Madrid, Paris Saint-Germain dhe Atalanta kanë siguruar vendin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin më herët ka thënë se nuk do të jetë e mundur të shtyhen turnetë përtej gushtit.
“Ne nuk mund të luajmë në shtator apo tetor”, ka thënë ai.
Por, Çeferin nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit të ndeshjeve pa shikues, siç ishte rasti edhe te disa ndeshje të 1/8 së finales.
Është raportuar se UEFA po e shqyrton mundësinë që të organizojë “Final Four” apo edhe “Final Eight” për dy garat, vetëm për të përfunduar ato.