Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 22-vjeçare u vra me thikë nga vëllai i saj në Napoli.
Ylenia Musella humbi jetën pas plagëve që kishte marrë pas një debati që kishte pasur me vëllain e saj, Giuseppe, i cili e goditi motrën e tij me thikë në shpinë.
Ai u dorëzua vetë në polici dhe në dëshminë e tij u shpreh se debati lindi pasi Ylenia kishte ngritur shumë zërin e muzikës, duke mos e lënë atë të flinte gjumë.
Një video e postuar në llogarinë e TikTok-ut të Ylenias, 22-vjeçarja shihet duke kërcyer nën ritmet e muzikës, por në fund të videos, një person zbret nga shkallët teksa mban diçka në dorë, e cila duket si një thikë.
Video është postuar një ditë përpara se të ndodhte vrasja e të resë, me mediat që dyshojnë se në video shfaqet vëllai i saj, duke ngritur aludime se kjo nuk ishte hera e parë që ai e ka kërcënuar.






