Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka mohuar raportimet se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit.
Disa media sot raportuan duke cituar burime se VV dhe LDK janë afër një marrëveshje që Albulena Haxhiu do të zinte pozitën e Presidentes, ndërsa Lutfi Haziri i LDK’së atë të Kryeparlamentarit.
Megjithatë, këto i hodhi poshtë Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express.
“Nëse ishte arritur marrëveshje iu kishim njoftuar publikisht. Nuk ka marrëveshje sekrete, prandaj jo nuk ka kurrgjë të vërtetë”.
I pyetur nëse këto raportime janë spekulime, Mustafa refuzoi t’i jepte cilësime.
“Nuk po dua t’i cilësoj kurrqysh, por marrëveshje në këto momente që po flasim nuk ka”.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të paralajmërojë takime mes kryeministrit Albin Kurti dhe dy partive opozitare, PDK dhe LDK, por ende nuk ka lëvizje të qarta, së paku jo publikisht.
Sot gjatë ditës i propozuari i Vetëvendosjes për President, kryediplomati Glauk Konjufca, tha se do të tërhiqte kandidaturën e tij nëse këto dy parti opozitare do të jepnin emrat e tyre.
I pyetur se pse partia e tij s’dha një emër konsensual dhe jo partiak, Konjufca me këtë barrë e ngarkoi opozitën.
Kreu i LDK’së, Lumir Abixhiku, të shtunën e javës së kaluar tha se për partinë e tij nuk është e pranueshme që të tri pozitat kryesore në shtet t’i ketë një parti.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje një ftesë zyrtare për takim mbi këtë çështje.
Afati i fundit për të zgjedhur Presidentin, sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është 28 prilli.






