Autorët e vjedhjes së rëndë që u krye 10 vjet më parë në Podujevë, ende nuk e morën dënimin.

Madje nga pesë të dyshuarit që morën stoli ari në vlerë 160 mijë eurove, i fundit u lirua të hënën me vendim të Gjykatës Themelore në Podujevë.

Ecuria e këtij rasti sipas të dëmtuarit, Hilmi Jupolli, është e dyshimtë, dhe nuk është trajtuar në formën e duhur, sipas tij për shkak të lidhjeve familjare mes gjykatësit me të dyshuarit.

Kjo vjedhje që ngjau një dekadë më parë, e detyroi Jupollin ta mbyllë argjendarinë e tij, derisa thotë se për ta zbardhur rastin organet e rendit kishin dëshmi të shumta.

Nga Gjykata i dërguan televizionit vendimin e gjyqtarit Hoti, ku ndër të tjera thuhet se pas analizimit të shkresave të lëndës është konstatuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për këtë vepër.