Lokale - eSIMy

Flamur Novak, aktualisht i dënuar me 5 vjet burg për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, rrëfen anën e tij të historisë dhe pretendon pafajësi.

Novak, i cili ka përfunduar studimet në drejtësi dhe pedagogji në Gjermani, thotë se kishte ardhur në Kosovë për pushime, por vizita e tij përfundoi me një proces gjyqësor që e la pas grilave.

Ai tregon se gjithçka nisi nga një njohje me një vajzë, raporti me të cilën, sipas tij, fillimisht ishte miqësor, më pas intim, por që më vonë përfundoi me një akuzë për dhunë.

“U njohëm në një banesë që e ndaja me të tjerë në Prishtinë. Ajo nuk punonte, por vishej me rroba të shtrenjta, çka më bëri të dyshoj. Më pas mësova nga të njohurit se ajo merrej me punë eskortash. E luta të largohej nga banesa, e thirra edhe familjen e saj, por nuk pranoi të ikte. Unë nuk kisha asnjë interes tjetër, përveç ta ndihmoja, pasi më thoshte që s’kishte as nënë, as baba”, rrëfen Novak.

Ai thotë se u përpoq ta ndihmonte edhe financiarisht, duke i dhënë para asaj dhe vëllait të saj, pa asnjë detyrim, si një akt bamirësie. Por situata ndryshoi papritur kur Novak u arrestua, fillimisht si dëshmitar, dhe më pas u akuzua për lëndim të rëndë trupor.

“Gjithçka ndodhi pas një muaji e tri javësh. Më arrestuan pa paralajmërim dhe më çuan në Lipjan për 48 orë. Ajo kishte pretenduar se ishte dhunuar fizikisht, por nuk kishte dëshmi të besueshme. Mjekësia ligjore nuk provoi asnjë gjurmë dhune nga ana ime, nuk kishte analiza të gjakut, as gjurmë në duar. Megjithatë, gjykata më dënoi”, tha Novak.

Ai pohon se dëshmitë vendimtare që mund ta shpëtonin – si një CD me video të incizuara – janë zhdukur në mënyrë të dyshimtë.

“Avokatët kërkuan prova, por asnjëherë nuk u paraqit asgjë konkrete. CD-ja që ishte dorëzuar nga unë ishte e zbrazët. E kishin fshirë. Në 22 seanca, pala tjetër nuk ishte prezent. Vetëm më vonë ajo erdhi dhe nisi të ndryshojë deklarimet”, thotë ai.

Novak thekson se marrëdhëniet intime me të ishin me dëshirë të dyanshme dhe nuk ka pasur asnjë formë dhune. Ai pretendon se është viktimë e një manipulimi dhe se drejtësia në Kosovë ka dështuar në trajtimin e rastit të tij.

“Unë jam i pafajshëm. Po e vuaj një dënim pa prova. Drejtësia nuk u soll siç duhet dhe dikush duhet të përgjigjet për këtë padrejtësi”, përfundon rrëfimin e tij Flamur Novak.

Rasti i tij mbetet një shembull i ndjeshëm dhe kontestues që ngre pyetje të mëdha mbi hetimin, transparencën dhe drejtësinë në sistemin gjyqësor të Kosovës. RTVDukagjini.