Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vendin e tij është rritur në 1.198, me 97 vdekje të reja të regjistruara në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e tij në twitter, Koca po ashtu njoftoi se numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 56.965, me 4.798 raste të regjistruara në 24 orët e fundit.

Ministri turk theksoi se deri më tani janë shëruar dhe lëshuar nga spitali 3.446 pacientë.

Ai po ashtu tha se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 35.720 teste, ndërsa që nga shpërthimi i koronavirusit janë kryer 376.100 teste.

Sipas shifrave zyrtare, aktualisht në Turqi 1.665 pacientë trajtohen në kujdes intensiv.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, virusi COVID-19 është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.

Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.8 milionë, me pothuajse 111 mijë vdekje dhe mbi 412 mijë të shëruar./AA