Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës të kësaj fushate elektroale në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në tubim u panë shumë flamuj kombëtar dhe i gjithë tubimi filloi me intonimin e himnit. Nuk munguan as flamujt shtetëror dhe simbolet. Po ashtu u panë edhe flamuj të shteteve mike si ato të SHBA’së, Gjermanisë etj…
Vend i veçantë afër skenës ishte i rezervuar për Avni Deharin, babain e aktivistit të ndjerë, Astritit.
Një numër i shumë i madh i mbështetesve të Lëvizjes ishin të pranishëm në këtë tubim. Secili prej tyre mundohej të zinte një vend më përpara, thuajse donin të shihnin sa më afër me sytë e tyre liderin e këtij subjekti, Albin Kurtin.
Tubimin e filloi kryetari i degës së Lëvizjes në Prishtinë, Arben Vitia. Ai i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për guximin e tyre që të qëndrojnë në vend përkundër problemeve të shumta socioekonomike. Pas tij morri fjalën Albulena Haxhiu e cila u prit me brohorima.
Pasi doli Glauk Konjufca në skenë simpatizantët u hodhën në ovacione të mëdha.
U dëgjuan britmat “Hajnat në burg”. E Konjufca u përgjigjë me sarkazëm duke thënë se shumë mirë po e dini ku e kanë vendin hajnat.
“Kriminelët janë sëmundja e këtij vendi. E Vetëvendosja është ilaqi”, tha Konjufca.
Ovacionet më të mëdha ishin të rezervuara për liderin. Albin Kurti sapo u fut në skenë u përcoll me brhorima të mëdha. Çdo fjali e tij merrte ovacione.
“Albin Kurti, Albin Kurti”, ishin thirrjet e simpatizantëve.
“Teksa presim me padurim ditën e zgjedhjeve unë dëshiroj që të u kushtoj një falënderim aktivistëve të Lëvizjes. Qindra qytetarë dhe aktivistë edhe nëpër shtetet perëndimore janë gurët dhe shtyllat e Lëvizjes. Ata duan ta shohin Kosovën të zhvilluar dhe të bukur”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet mbahen me datën 6 tetor, dhe lirisht mund të thuhet se Vetëvendosje po futet fuqishëm dhe me plot besim në zgjedhjet e parakohshme që po cilësohen si vendimtare për shtetin tonë.