Qeveria e Kosovës në njërën nga nëntë masat e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike ka paraparë që të përdoret një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trust).
Lidhur me këtë ka reaguar vetë Trusti, duke thënë se nuk ka asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10 përqindëshit.
Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.
“Kthimi i një përqindjeje të mjeteve të kursyera në Trustin Pensional për kontributpaguesit, bazuar në nevojat e tyre, e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhë 3-mujore, e cila shumë kompensohet nga shteti brenda pesë viteve”, thuhet në këtë masë.
Trusti ka njoftuar nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga llogaria.
“Të nderuar kontribuues, këto ditë kemi një fluks të madh të mesazheve dhe vizitave për çështjen e 10%-shit, që është deklaruar nga Qeveria e Kosovës se do t’ju lejohet kontribuuesve t’i tërheqin nga Trusti. Ju njoftojmë se NUK KA ende asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10%-shit, andaj nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga Trusti. Ne do t’ju njoftojmë me kohë për çdo ndryshim. Ju lutemi, po ashtu, të shmangni vizitat në zyrat tona për çështjen e 10%-shit, pasi kështu po vështirësohet tejet shumë shërbimi i kontribuuesve, kjo për shkak të kufizimeve që janë në fuqi nga pandemia e COVID-19”, ka njoftuar Trusti.