Gjykata Themelore në Prishtinë nuk e ka lejuar dëgjimin e përgjimeve të aferës “Pronto” në sallë.
Shashivar Hoti në emër të trupit gjykues ka thënë se për shkak të racionalizimit të kohës kanë marrë aktvendim që të gjitha provat të konsiderohen të lexuara që nënkupton se të akuzuarit nuk do të ballafaqohen me dëgjimin e këtyre incizimeve.
09:50
Prokurorja do që përgjimet për “Pronto” të dëgjohen në Gjykatë, avokatët kundër
Prokurorja speciale Drita Hajdari e cila e ka ngritur këtë aktakuzë ka kërkuar nga trupi gjykues që të dëgjohen incizimet ku janë të përfshirë të akuzuarit.
Avokati Florent Latifi që në këtë rast penal e përfaqëson të akuzuarin Adem Grabovci ka kërkuar nga gjykata që të mos dëgjohen përgjimet.
“Vërtetësinë e bisedave nuk e konteston askush”, ka thënë ai para trupit gjykues.
Sipas Latifajt incizimet kanë qenë në media dhe është e paarsyeshme të dëgjohen edhe një herë.
Edhe avokati i ish-ministrit Beqaj, Besnik Berisha e ka cilësuar të panevojshme dëgjimin e incizimeve.
Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti e ka pyetur Berishën nëse u besojnë përmbajtjes se bisedave që janë pjesë e aktakuzës. Berisha ka thënë se askush nga mbrojtja nuk pretendon se bisedat janë falsifikuar por se ka kontestuar legjitimitetin procedural të nxjerrjes se provave.
Edhe avokatët e tjerë që përfaqësojnë të akuzuarit tjerë nuk janë të pajtimit që përgjimet të lëshohen në seancë.
Ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, Rexhë Abazi ka kërkuar nga gjykata që incizimet ku është i përfshirë ai të dëgjohen. Avokatja Albana Kelmendi që përfaqëson Abazin ka thënë se çdo provë rreth klientit të saj të lexohet e dëgjohet.
Prokurorja speciale Drita Hajdari kur e ka marrë për së dyti fjalën ka thënë se nuk është e vërtetë që janë dëgjuar në media të gjitha bisedat pasi që sipas saj ka edhe biseda tjera të padëgjuara.
Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti ka deklaruar se nëse lejohet dëgjimi i këtyre përgjimeve duhet të ndërrohet salla sepse nuk ka kushte për t’i dëgjuar.
Trupi gjykues është tërhequr për të vendosur nëse duhet të dëgjohen ose jo përgjimet në gjykatë.
