Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të mbajë një tubim me mijëra përkrahës në Oklahoma të shtunën në përpjekje për ta rimëkëmbur fushatën zgjedhore për garën presidenciale të nëntorit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë është kritikuar për mënyrën e menaxhimit të situatës së krijuar nga pandemia dhe për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd, i cili vdiq gjatë arrestimit nga policia në Minneapolis, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ai mori edhe më shumë kritika për vendimin për ta mbajtur tubimin e parë që nga koha e mbylljes së shkollave dhe bizneseve në muajin mars.

Oklahoma ka raportuar rritje të numrit të rasteve të koronavirusit ditëve të fundit dhe Departamenti i Shëndetësisë i këtij shteti i ka paralajmëruar pjesëmarrësit e këtij tubimi se do të përballen me rrezik të rritur për marrjen e virusit. Tubimi do të mbahet në një sallë me 19,000 ulëse.

Zyrtarët e fushatës së presidentit republikan kanë thënë se numri i personave të interesuar për të marrë pjesë në këtë tubim është shumë më i lartë se numri i ulëseve që janë në dispozicion.

Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët e fushatës së presidentit të tanishëm të ShBA-së në një masë të madhe i kanë lënë anash shqetësimet për sigurinë e tubimit, duke thënë se do të ofrojnë maska dhe dezinfektues.