Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e transmetoi drejtpërdrejt meçin mes Majlinda Kelmendit dhe ruses Natalia Kuziutina, në të cilën kosovarja e siguroi medaljen e artë në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë.

Majlinda Kelmendi ia fitoi Kosovës medaljen e parë të artë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, ku Kosova po përfaqësohet nga gjithsej 12 sportistë. Këtë meç mund ta shikoni në videon e mëposhtme, raporton Gazeta Express.

LIVE: Finalja Majlinda Kelmendi – Natalia Kuziutina (RUSI)

LIVE: Finalja Majlinda Kelmendi – Natalia Kuziutina (RUSI)#Minsk2019 #TeamKosova #MajlindaKelmendiSponsor i artë i KOK-ut, IuteCredit Kosova

Gepostet von Kosovo National Olympic Committee am Samstag, 22. Juni 2019

Rrugëtimin drejt së artës, xhudistja pejane e filloi në fazën e 1/8 të finales, pasi që rrethin e parë e kaloi në luftë. Në rrethin e dytë ajo pati punë me zviceranen Fabienne Kocher, të cilën e mposhti në “Golden Score”.

Pas triumfit në këtë fazë, Majlinda pati punë me polaken Karolina Pienkowska, të cilën e mposhti me ippon në çerekfinale.

Paksa më të vështirë e pati kosovarja në gjysmëfinale, kur meçi me francezen Amandine Buchard u vendos vetëm në “Golden Score”. Megjithatë, Majlinda Kelmendi triumfoi edhe këtu, duke e siguruar një vend në finale dhe të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.

Por, për pejanen medalja e argjendtë nuk ishte e mjaftueshme dhe ajo u sigurua që në finale ta sigurojë medaljen e artë. Triumfi i Majlindës, bën që flamuri i Kosovës të ngrihet më së larti në Minsk të Bjellorusisë.

Xhudistja e stërvitur nga Driton Kuka e filloi këtë vit me triumf në Grand Prixin e Tel Avivit, ndërsa më vonë e fitoi edhe Grand Slamin në Dusseldorf. Më parë, ajo e kishte fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike Rio 2016, ishte kampione e botës në xhudo në vitet 2013 dhe 2014, ndërsa në vitet 2014,2016 dhe 2016 ishte kampione evropiane.

Podiumi për kategorinë deri në 52 kilogramë kompletohet nga rusja Kuziutina, e cila e fitoi medaljen e argjendtë, francezja Amandine Buchard dhe britanikja Giles Chelsie.

Pas disa minutave, në Lojërat Evropiane Kosovën do ta përfaqësojë edhe Nora Gjakova, e cila po ashtu kërkon medaljen e artë në finalen kundër ruses Daria Mezhetskaia, në kategorinë deri në 57 kilogramë.