Tri klasa në tri shkolla të ndryshme në Podujevë kanë kaluar në mësim online, për shkak të rasteve me virusin korona, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, duke shtuar se mësimi në shkollat tjera po vazhdon normalisht.
“Tri klasë kanë kaluar në mësim online pas disa rasteve me COVID-19. Një në shkollën “Pavarësia” në Siboc, një në shkollën “Naim Frashëri” dhe një në Shkollën e Mesme Teknike “Fan S. Noli” në qytet”, ka thënë Zhitia.
Vetëm gjatë këtij muaji në Podujevë kanë rezultuar pozitivë për koronavirus mbi 100 qytetarë. Gjatë 24-orëve të fundit nuk është konfirmuar asnjë rast, derisa janë shëruar 15 pacientë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Podujevë aktualisht janë 110 raste aktive me koronavirus.
Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet. Deri më tani në Podujevë janë administruar rreth 80 mijë vaksina.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 14 dhjetor se janë regjistruar 720 raste të reja me koronavirus. Rastet e reja dalin pas testimit të 4,785 mostrave.
Në raportin për 24 orët paraprake bëhet e ditur se janë shëruar edhe 159 pacientë, ndërkaq raste aktive janë 5,678./Llapi.info






