Kosovarët paguajnë 4 milionë € në vit për homologim të veturave. E krejt këto para shkojnë në arkën e vetëm të një kompanie vendëse.

Për këtë qëllim të premten e kaluar u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku deputetët diskutuan shumë, por që në fund nuk arritën të marrin një vendim.

Ekipi i EkonomiaOnline qëndroi këtë të diel në tregun e automjeteve në Fushë Kosovë, për të marr qëndrimin e shitësve të veturave, por edhe të blerësve përkitazi me këtë temë.

Të gjithë të intervistuarit u shprehen se procesi i homologimit është i panevojshëm dhe se duhet të hiqet menjëherë.

Fatbardh Dakaj, është njëri prej shumë kosovarëve që u përballë me këtë proces.

Ai thotë se javën e kaluar u detyrua të bëjë homologimin e një veture të ardhur nga Gjermania.

Thotë se iu bë vetëm sa për t’ia marr 125 euro.

“Një veturë që vjen nga jashtë ajo është e homologuar, kur vjen këtu përsëri duhet me shku në homologim veç sa për sy e faqe. Unë i pyeta ata në homologim se çka kontrolloni në veturë më thanë jo vetëm pamjen e jashtme. Ajo kryesorja nuk kontrollohet në homologim, motorin e veturës nuk e kontrollojnë aty ku mundet me qenë defekti më i madh i një automjeti”, tha ai.

E për një qytetar tjetër homologimi është bërë vetëm për një qëllim.

Afrim Salihu, thotë se veturat e sjella nga jashtë nuk kanë nevojë për homologim.

“Unë mendoj që homologimi s’ka dashur me qenë hiq, kjo është një plaçkë e popullit, prej plaçkave të tjera është një më shumë, se ne po e bëjmë kontrollimin teknik këtu S’ka nevojë më mirë është me ia mundësua kontrollin teknike se me bë homologim. 125 euro i marrin vetëm një plaçkitje më tepër. Po i sjellim prej Gjermanisë boll paguajmë atje, paguajmë doganë plus të tjerat, e homologimi përse. Bile nëse është homologimi me qenë dy tri kompani e jo veç një, na boll jemi tu pagua gjëra të tjera”

Milazim Krasniqi po mendon se homologimi është vënë si pasojë e politikës së dështuar.

Thotë se shkak i homologimit po rritet edhe kostoja e veturave.

“Homologimi ndaj veturave është dashur të mos jetë fare, sepse e bastardon ekonominë kosovare dhe është direkt në gjepin e qytetarëve, por homolgimi është pasoj e politikës së dështuar të cilët kanë formuar klane të mjerueshme të cilat janë të gjitha në kurriz të qytetarit. Homolgimi ua rrit koston e çmimit të veturave dhe ajo shkon direkt të gjepi i qytetarëve, janë gjana që i shohin të gjithë se më këto gjëra që po i bëjnë pushtetarët e sotëm nuk i shërbejnë kombit”

Një tjetër vendim që po konsiderohet i dëmshëm për biznesin me vetura, por edhe për vet blerësit, është edhe ai për mos vlefshmërinë e regjistrimit pas shitjes së automjetit.

Tregtari Afrim Salihu, thotë se janë dëmtuar shumë nga ky vendim i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Unë jam tregtarë i veturave, e regjistroj një veturë pas 5 minutave e blerësi që e blen ka me pagua edhe 300 euro të tjera, kjo është çmenduri e madhe vetëm që e kanë propozua e leje ma me shti në ligj”, tha ai.

Për procesin e homologimit dhe monopolin në këtë fushë, ditë më parë ka reaguar edhe shefja e BE-së, Natalyia Apostolova.

Ajo u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që t`i bëjnë trysni Qeverisë për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ të nxjerrë gjatë vitit të kaluar, i cili ka mundësuar vazhdimin e monopolit për homologimin e automjeteve.