Lokale - eSIMy

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një rasti tragjik të ndodhur në fshatin Majac të Podujevës, ku dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që ka eskaluar me përdorimin e armës së zjarrit.

Zëdhënësja e Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka deklaruar se dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, ndërsa e dyshuara kryesore e rastit po ashtu ka ndërruar jetë, gjë që është konstatuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

“Lidhur me këtë ngjarje tragjike, këtu dyshohet për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, ku situata ka eskaluar dhe më pas është përdorur një armë zjarri, ku ka shtënë në drejtim të dy personave, dhe për fat të keq për shkak plagëve të marrura, kanë ndërruar jetë. Dhe po ashtu edhe e dyshuara kryesore e këtij akti ka ndërruar jetë, të cilën e ka konstatuar Qendra Klinike Universitare e Kosovës”, tha ajo.

Shala bëri të ditur se pas pranimit të informatave, policia dhe njësitet përkatëse, së bashku me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore.

“Pas pranimit të informatave, policia dhe njësitet e tjera relevante, në krye me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast. Më pas është sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe disa prova të tjera relevante, të cilat do të ndikojnë ose do të ndriçojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, tha ajo.

Ajo shtoi se rasti ndodhet në fazën preliminare të hetimeve dhe se Prokuroria do të vazhdojë me trajtimin intensiv të çështjes deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

“Duke qenë se rasti është në fazën preliminare të hetimeve, më duhet të jem e rezervuar në dhënien e informacioneve shtesë, mirëpo ne si Prokurori Themelore në Prishtinë mbetemi të përkushtuar domethënë në zhvillimin e hetimeve në mënyrë intensive që sa më parë të kuptohen rrethanat e këtij rasti”, tha ajo.