Krijimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, nga ekspertë të çështjeve ekonomike listohen si dy prioritetet më të rëndësishme në aspektin ekonomik për vitin 2019.
Kosova si një vend me papunësi të lartë në mbi 30 për qind, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe me rreth 3 miliardë euro import në vit, kërkon sipas ekspertëve, që institucionet të marrin masa konkrete në përmirësimin e këtyre dy aspekteve ekonomike.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë shumë çështje ekonomike të cilat kanë ngecur në Kosovë, por që çështja e papunësisë është një problem që duhet të adresohet nga autoritetet.

“Kosova ka problem me shkallën e lartë të papunësisë dhe zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik. Në tre vitet e fundit kemi pasur rritje ekonomike deri në rreth 4 për qind, por kjo nuk është e mjaftueshme nëse e marrim parasysh numrin e të rinjve të cilët futen në tregun e punës. Krijimi i vendeve të punës, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë top prioritete të cilat duhet të jenë për vitin 2019”, thotë Gashi.

Me gjithë përparimet e shënuara, Kosova, theksohet nga ekspertët, nuk ka arritur të krijojë ekonomi të zhvilluar, të krijojë kushte më të mira për sektorin privat, investime të huaja, ndërkohë që vazhdon të përballet me një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë për Radion e Evropa e Lirë se prioritet në vitin 2019 duhet të jetë zhvillimi më i shpejtë dhe stabil i ekonomisë që sipas tij, do të mundësonte edhe zgjidhjen e problemeve që janë grumbulluar në dy dekadat e fundit.

“Në kuadër të këtij prioriteti do të ishte edhe stimulimi i prodhimtarisë vendore me qëllim që shumë mallra që tani importohen të prodhohen në kuadër të ekonomisë kombëtare. Prioriteti tjetër që është edhe ekonomik, por edhe mund të konsiderohet si problem shoqëror është luftimi i ekonomisë informale që po ngufat zhvillimin po ashtu po pengon veprimin e konkurrencës që do të mundësonte arritjen e rezultateve më efikase. Nga zvogëlimi i pjesëmarrjessë ekonomisë informale besoj që në masë të konsiderueshme do të rritnin mundësitë që të luftohet korrupsioni i cili duhet të jetë prioritet në periudhën e ardhshme”, thotë Bektashi.

Sektori i prodhimit në Kosovë ndërkohë vazhdon të mbetet ende në një shkallë.

Ndërkohë, bizneset prodhuese në Kosovë gjatë vitit që lëmë pas janë ankuar në vazhdimësi për një ambient jo të favorshëm biznesor.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës kanë bërë disa lehtësira fiskale gjatë vitit 2018, që si të tilla kanë pasur efekte pozitive në prodhim, por që institucioneve ju mbetet ende punë për të bërë.

“Që Kosova të arrijë të ketë një sektor më të qëndrueshëm dhe më të fuqizuar të prodhimit, duhet të krijohet një ambient i përshtatshëm afarist, Atë çka e ofrojnë vendet e rajonit duhet ta kemi edhe ne. Për të tërhequr investitorë duhet të krijohen kushte të mira për këta që janë këtu dhe sigurisht ata të tjerët pastaj do të vinin”, thotë Kosumi.

Në një raport të publikuar në fund të vitit të kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar parasheh rritje ekonomike për Kosovën gjatë vitit 2019, prej 4,2 për qind.

Por, sipas FMN-së kjo rritje mund të jetë më e madhe nëse ka përparim në reformat, veçanërisht në tregun e punës dhe fushat e qeverisjes.

Të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2019 në Kosovë janë në vlerë prej 2.3 miliardë euro. Ky buxhet, prioritet i jep sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Kurse, investimet kapitale që kapin vlerën e mbi 700 milionë eurove do të adresojnë nevojat në infrastrukturë rrugore, hekurudha, në trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhim të mbeturinave.