Foto ilustrim

Një grua nga Prishtina është tmerruar nga hajnat në orët e mëngjesit të sotëm, me të cilët u përballë dhe e pësoi, posa hynë në shtëpinë e saj, derisa ajo ishte në gjumë. Ata arritën të grabisnin një shumë të të hollave dhe stoli të arit dhe më pas e mbyllën gruan për disa minuta në dhomën e saj, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, në rrugën “Janë Kokuzeli” dhe më pas u raportua në Polici nga bashkëshorti i viktimës.

Sipas informatave të para, dyshohet se disa persona kanë hyrë në shtëpinë e tyre dhe në momentin që gruaja i ka dëgjuar krismat është zgjuar, me ç’rast është tronditur kur i ka parë hajnat, të cilët kishin vjedhur rreth 1 mijë euro dhe stolitë prej ari.

Për të mos mbaruar me kaq, sipas dëshmisë së viktimave, të dyshuarit e kanë mbyllur me forcë gruan për disa minuta në dhomën e saj dhe më pas janë larguar.

Me t’u raportuar rasti, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit lidhur me këtë rast kanë nisur hetimet për veprën penale “grabitje”.