Jo vetëm tifozët e Kosovës dëshirojnë t’i shohin “Dardanët” ta sigurojnë një vend në Kampionatin Evropian 2020 – një dëshirë të tillë e kanë shprehur shumë tifozë të huaj të futbollit në rrjetet e tyre sociale.
Kosova e bëri një hap të madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian mbrëmë në “Fadil Vokrri”, ku siguroi fitore me rezultat 2:0 kundër Malit të Zi, falë golave të Amir Rrahmanit dhe Vedat Muriqit në pjesën e parë, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, ndeshjet vendimtare për fatin e Kosovën në Grupin A kualifikues në EURO 2020 do të zhvillohet në nëntor – kundër Çekisë dhe Anglisë. Ndeshja kundër Çekisë do të jetë si finale, pasi që dy Kombëtaret janë rivale direkte për vendin e dytë në grup.
“Sa agresive po bëhet Kosova. 2:0 kundër Malit të Zi dhe janë vetëm një pikë prapa Çekisë dhe do të luajnë tani në Çeki. Definitivisht ndeshja më e zjarrtë që duhet ta ndiqni në nëntor”, shkroi gazetari italian Tancredi Palmeri.
“Dëshiroj ta shoh Kosovën në Evropian”, shkroi tifozi portugez, Jose Costa.
“Shpresoj se Kosova arrin të kualifikohet. Kanë tifozë të mrekullueshëm”, shkruan tifozi anglez, Jamie.
“Çekia kundër Kosovës do të jetë një ndeshje e çmendur muajin e ardhshëm. Që të dyja do të luftojnë për kualifikim”, shkroi tifozi anglez, Luke.
“Kosova e meriton, do të ishte një arritje e madhe”, shkroi Rick Hoek.
Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.
Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia.






