Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar në Mitrovicë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për sjellje agresive dhe kërcënime serioze.
Burime të besueshme nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë bëjnë të ditur se viktima Sh.S, rreth 22-vjeçare ka raportuar se bashkëshorti i saj, A. S., rreth 28-vjeçar, prej katër muajsh është bërë agresiv dhe ushtron dhunë psikike ndaj saj.
Sipas deklaratës së saj, gjatë ditës së djeshme, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me djalin e tyre, i dyshuari e ka kërcënuar rëndë duke i thënë: “Shiko djalin se ta thyej trunin, t’i rroku grushtat, t’i thej dhëmbët”, si dhe e ka urdhëruar të largohej me fëmijën nga shtëpia.
Ankuesja ka deklaruar se ndihet e rrezikuar, por nuk ka pranuar të strehohet në qendër për viktimat e dhunës, duke theksuar se do të qëndrojë te nëna e saj, ndërsa ka kërkuar masa mbrojtëse nga gjykata.
Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar vëllai i ankueses, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga Njësia për Dhunë në Familje.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është inicuar si “Dhunë në familje”.






