Përleshjet mes të rinjve ku përpos grushteve përdoren edhe mjetet tjera të forta e të mprehta, janë bërë të shpeshta në vendin tonë. Ka shumë raste kur ato kanë përfunduar në mënyrë tragjike, duke u shndërruar kështu në një dukuri shqetësuese.

E një rast i tillë raportohet të ketë ndodhur edhe mbrëmë në Istog, ku një i ri i moshës 21-vjeçare ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, për shkak të plagëve të marra që dyshohet se i janë shkaktuar me thikë.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se për shkak të gjendjes së rëndë, i riu është transferuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës.

21-vjeçari pasi mori ndihmën e parë, ka arritur që të shkojë në Polici për t’u përgjigjur në pyetjet e hetuesve lidhur me rastin. Ai ka bërë të ditur se është përleshur me dy persona, me ç’rast është therur me thikë.

Dy të dyshuarit, njëri nga ta i mitur, janë paraqitur në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve policorë kanë mohuar të kenë pasur me vete ndonjë mjet të mprehtë, apo ta kenë goditur 21-vjeçarin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën ‘Lëndim i rëndë trupor’, teksa që të dy janë dërguar në mbajtje.