Izraelit janë duke iu harxhuar raketat kundërajrore “Arrow”, sipas një zyrtari amerikan, duke e ngritur shqetësimin për aftësinë e këtij shteti që t’u kundërvihet raketave balistike me rreze të gjatë nga Irani, nëse konflikti nuk zgjidhet së shpejti.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të vetëdijshme për problemet rreth kapaciteteve me muaj, tha zyrtari amerikan, dhe Uashingtoni ka qenë duke e përforcuar mbrojtjen ajrore të Izraelit me sisteme në tokë, det dhe ajër, raporton gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.
Që nga përshkallëzimi i konfliktit këtë muaj, Pentagoni ka dërguar më shumë asete të mbrojtjes raketore në rajon dhe tani ka shqetësim se edhe ShBA-së mund t’i harxhohen këto raketa mbrojtëse.
“As ShBA-ja, as izraelitët nuk mund të vazhdojnë të ulen dhe të pengojnë raketa tërë ditën” – tha Tom Karako, drejtor i Projektit të Mbrojtjes Raketore në Qendrën për Studime Strategjike.
“Izraelitët dhe miqtë e tyre duhet të lëvizin me tërë nxitimin e qëllimshëm që të bëjnë gjithçka që duhet të bëhet, sepse nuk mund ta përballojmë që të ulemi dhe ta luajmë lojën e ndjekjes” – shtoi ai.
“Israel Aerospace Industries”, kompania që prodhon raketa kundërajrore “Arrow”, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ushtria izraelite në një deklaratë tha: “Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë të përgatitura dhe të gatshme që të trajtojnë çfarëdo skenari. Fatkeqësisht, ne nuk jemi në gjendje që të komentojmë për çështje që lidhen me municionet.






