Gazeta britanike “The Guardian”, i ka kushtuar një artikull 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Edhe pas dy dekadave të çlirimit të vendit 3 mijë e 500 trupa të KFOR-it, janë ende të pranishme duke kontribuar për siguri dhe qetësi.

Në këtë artikull poashtu shkruan se Forcat Paqëruajtëse Ndërkombëtare kanë një rol të tretë, pas Policisë së Kosovës dhe Policisë së Misionit të Bashkimit Evropian EULEX.

Sipas kësaj përjashtim bëhet për Manastirin e Deçanit që i takon shekullit të 14-të.

Në Kosovë ushtarët e KFOR-it bëjnë kryesisht patrullime të paarmatosur.

Por, një zyrtar i lartë perëndimor ka thënë për “The Guardian” se largimi i forcave të NATO-s nga Kosova do të ishte çmenduri.

“Tërheqja do të ishte çmenduri. Atje në Serbi po i numërojnë trupat ushtarake. [Kosova] Është një vend me 1.8 milion myslimanë të moderuar. Pas Afganistanit dhe Irakut, na duhen rezultate. Kjo do të ishte një fitore e vërtetë strategjike për ne”, ka thënë ai në kushte anonimiteti.

Kontributi i Britanisë së Madhe në KFOR është me 30 ushtarë ani pse angazhohet në një vend ku shumë fëmijë mbajnë emrin Tonibler në bazë të kryeministrit të atëhershëm britanik, Tony Blair, i cili, bashkë me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, udhëhoqën intervenimin humanitar ushtarak. Franca nuk ka asnjë ushtar.

“The Guardian” shkruan më tej edhe për periudhën nga paslufte deri në pavarësi (2008) si dhe për viktimat e luftës ku thotë se të vdekur apo të zhdukur nga kjo luftë mbetën 13 mijë e 517 persona. Nga këto viktima, 10 mijë e 415 ishin shqiptarë etnikë, e 2 mijë e 197 ishin serbë.

Një ekspozitë e re në tri dhoma të bodrumit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës i kushtohet 1 mijë e 133 fëmijëve të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës, dhe ku paraqiten gjësende që u përkisnin atyre, përfshirë edhe një çantë shkollore me logon e Bayern Munichut që përmban libra shkollorë të një prej viktimave, Altinit, një nxënës i klasës së katër, në ditën kur u vra nga forcat serbe.

Tutje, gazeta shkruan edhe për tentimet për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur edhe idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje e mundshme, por thotë se kjo ide nuk u prit aspak mirë në asnjërin prej vendeve.
Gjenerali Lorenzo D’Addario, italiani që komandon KFOR-in, thotë se situata politike nuk është perfekte dhe thekson se detyrë e tyre parësore është “ofrimi i sigurisë për popullatën në veri”, ku jetojnë serbët.

“Ende ka nevojë për ne. Ne ofrojmë thelbin e shtyllës së sistemit të sigurisë”, tha ai, ndonëse nuk e bëri të qartë se edhe sa gjatë do të mbesin qeveritë perëndimore në një vend që mbetet relativisht i qetë pavarësisht mungesës së zgjidhjes afatgjate politike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të madh të ushtarëve në kuadër të Misionit të Forcave Paqëruajtëse Ndërkombëtare.

Numri i tyre sillet rreth 600.