Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në “Forumin e Bratisllavës” ka treguar arritjet e deritanishme në procesin e gjatë të dialogut me Serbinë.
“Marrëveshja e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë ka pasë një efekt të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet tona. Kishte integrim territorial dhe social të komunitetit serb të Kosovës në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, jo vetëm në pjesën veriore, por në gjithë territorin e Kosovës”.
“Serbët në Kosovë u integruan në gjyqësor, polici, kishte liri të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, largimi i barrikadave që ishin në pjesën veriore të Kosovë si dhe nuk kishte më probleme ndëretnike”.
“Për herë të parë u mbajtën zgjedhjet lokale dhe qendrore ku morën pjesë serbët e Kosovës. Dua të shpreh vlerësimin tim për presidentin Aleksandar Vuçiq që i vizitoi ata dhe i bindi që të marrin pjesë në procesin zgjedhor që u organizua sipas ligjeve të Kosovës”.
Thaçi në panelin e kësaj konference ndërkombëtare ku ishte i pranishëm edhe homologu i tij serb ka treguar se çfarë marrëveshje duhet të implementohen tutje nga të dyja vendet, Kosova dhe Serbia.
“Kosova duhet të implementojë marrëveshjen për Asocioacionin e Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi vullnetin që kjo të ndodhë. Fatkeqësisht, Lista Serbe dhe politikanët serbë në Kosovë nuk i kanë lejuar njerëzit që të jenë pjesë e procesit dhe ta shkruajnë statutin e Asociacionit”.
“Serbia duhet të punojë më shumë në Marrëveshjen e IBM, të Energjisë dhe marrëveshje të tjera që janë të rëndësishme”.
“Sa i përket zhvillimeve në Kosovë, më shumë se 70 % e qytetarëve duan dialog dhe marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sepse të gjithë duan të ecin më shpejt drejt NATO-s dhe BE-së. Ata brengosen më shumë për këtë se sa për politikat ditore”.
“Liderët kosovarë duan dialog me Serbinë, prandaj është krijuar Delegacioni Shtetëror për Dialogun në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi një unitet të plotë në procesin e dialogut”.
Presidenti kosovar ka folur edhe për vizat duke thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe nuk duhet të kalojë kah Beogradi, njofton Klan Kosova.
“Mënyra se si kemi mbetur të izoluar pa liberalizim të vizave nga Bashkimi Europian është një situatë që kërkon zgjidhje të mënjehershme – jo një zgjidhje që kalon nga Beogradi, por një zgjidhje brenda institucioneve të BE-së duke krijuar marrëdhënie të mirë fqinjësore që është një objektiv që shpresoj dhe punoj për ta arritur”.
“Ka shumë skeptikë dhe kritikë, por drejtësia është në anën tonë”.