Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione.

Siç njofton kumtesa për media, Thaçi tha se, ndonëse është lajm i mirë që ende nuk ka raste të infektimit me koronavirus në institucionet korrektuese, megjithatë duhet marrë çdo hap që të parandalohet kjo.

“Është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe është me rëndësi që institucionet e Republikës së Kosovës të kujdesen për çdo qytetar dhe të gjejnë zgjidhje për çdo qytetar, në përputhje me ligjet në fuqi”, tha Thaçi.

Në takim, siç njofton kumtesa, u diskutuan hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse dhe u theksua që në kërkim të një zgjidhjeje sa më shpejt të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës dhe mekanizmat e shëndetit publik.

Siç bën të ditur kumtesa presidenciale, në këtë takim ishin Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.