Presidenti Hashim Thaçi ka folur pas takimit që zhvilloi me delegacionin e përbashkët nga Franca dhe Gjermania.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesit e kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, ka thënë se në këtë takim është diskutuar për Samitin e Parisit i cili do të zhvillohet më 1 korrik, ku temë kryesore do të jetë vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, raporton lajmi.net.
“Siç edhe jeni të informuar sot kemi pritur në takim një delegacion të lartë të Francës dhe Gjermanisë në kuadër të Samitit të Parisit që do të mbahet më 1 korrik. Mund të them se ishte një angazhim inkurajues i presidentit Macron dhe kancelares Merkel, pra i Francës dhe Gjermanisë, që të ketë përgatitje më të mira për Samitin e Parisit, që të jetë një Samit që i hap një perspektivë më të mirë vazhdimësisë së dialogut, mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, por edhe perspektivës evropiane të Republikë së Kosovës”, deklaroi i pari i shtetit.
Thaçi po ashtu ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku ka thënë se në këtë takim me përfaqësuesit gjermano-francez ua ka bërë të qartë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk pranon kritere të reja për heqjen e vizave.
Madje, sipas Thaçit edhe nëse kërkohet që taksa të jetë një prej kushteve, siç theksoi ai, taksa do të mbetet në fuqi dhe nuk do të hiqet.
“Theksuam shumë qartë se, tarifa duhet të mbetet në fuqi. Është një vendim legjitim. Në anën tjetër duhet të respektohen marrëveshjet që janë arritur në vitin 2013 nga të gjitha palët. Shpresoj se do të ketë një përkushtim serioz edhe në javët e ardhshme që kanë mbetur në mënyrë që të ketë një koordinim i plotë në mënyrë që të ketë reflektim konkret të angazhimeve tona në procesin e dialogut si dy vende sovrane. Në anën tjetër nga fryma e diskutimit që zhvillimit sot, shoh se ka një angazhim më serioz të një koordinimit gjithëevropian, por edhe nga shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të ndodhë por edhe takimi i Parisit i pakushtëzuar. Ky takim do të ndodhë pavarësisht disponimit ose jo të Vuçiqit. Tarifa nuk do të hiqet dhe ky është një vendim legjitim i Qeverisë së Kosovës, pavarësisht se pushtetet janë të ndara. Askush nuk do të lejojë që të kushtëzohet dialogu i Kosovës me Serbinë. Është diskutuar si të ndodhë përgatitja më e mirë e takimit të Parisit. Po kam potencuar gjithashtu se Kosova në asnjë rrethanë nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizimin e vizave as heqjen e taksës sepse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe është një diskriminim që është duke iu bërë qytetarëve të Kosovës. Kosova ka plotësuar më së shumti kritere në krahasim me vendet e rajonit, sepse Kosova ka plotësuar 95 kritere”, ka deklaruar Thaçi.