Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur rreth takimit me delegacionin serb në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Thotë se përveç çështjeve ekonomike mund të hapen edhe tema të tjera.
“Ajo që është më e rëndësishmja është rifokusimi i SHBA’së për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor. Për herë të parë në historinë e këtyre tre dekadave ndodh një takim i tillë i Ballkanit Perëndimor në Shtëpinë e Bardhë. Kjo tregon angazhim të drejtpërdrejt të Trump dhe Grenell’, tha Thaçi.
“Delegacioni i Kosovës natyrisht se është gati, si bazë për gjithçka, apo kornizë e angazhimit tonë do të jetë respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne shkojmë atje me flamurin dhe integritetin territorial të Kosovës. Natyrshëm që presim hapjen e çështjeve me interes dhe mund të kemi pajtueshmëri të dy vendet por do të jetë një takim jo i lehtë, i vështirë dhe plot me gjëra të cilat mund të ballafaqohemi përballë njëra-tjetrës. Si delegacion i Kosovës do të jemi unik, do të flasim me një zë”, tha Thaçi për RTK’në.
Presidenti pret që të diskutohet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Unë pres që mund të kemi çështje të cilat mund të hapen, ato të cilat mund të jenë më afruese me njëra-tjetrën më pak dalluese dhe me interes të përbashkët. Por natyrisht përveç çështjeve ekonomike mund të hapen edhe tema të cilat janë me interes për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, Serbi dhe Ballkan”, theksoi ai.
“Kosova nuk zgjedh mes Uashingtonit dhe Brukselit. SHBA vazhdon të jetë partneri ynë i përjetshëm dhe special, me një besim shumë të fuqishëm dhe më pro-amerikan të qytetarëve të Kosovës në botë dhe natyrisht që kjo rrit shpresën dhe besimin e institucioneve për takimin në Uashington. Por nuk duhet të jemi optimist në kuptimin e naivitetit por shpresoj që do të arrijmë më tepër seç presin skeptikët. Takimi do të jetë me plotë vështirësi dhe do të jetë shumë i rëndë sepse Serbia për fat të keq ende vazhdon e shikon kah e kaluara dhe pak të fokusohet për të ardhmen”, tha Thaçi.
Ritheksoi se procesi do të përfundojë me njohje reciproke.
“Mendoj se takimi i Uashingtonit do të jetë fillimi i fundit pozitiv që do të rezultojë si proces me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen reciproke e cila është e vetmja qasje reale’, tha Thaçi.