Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në Ditën Botërore të Refugjatëve ka thënë se kujtojnë të kalurën e hidhur të vendit.
“Me dhimbje kujtojmë spastrimin etnik, ku forcat policore dhe ushtarake serbe dëbuan dhunshëm mbi 1 milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Thaçi ka shtuar se sot solidarizohet me të gjithë ata që janë refugjatë nëpër botë.
“Jemi krenarë që i përballuam me dinjitet ato vite të vështira dhe përherë do u jemi mirënjohës të gjithë atyre që na mbështetën dhe na u gjenden pranë. Si popull e dimë më së miri sa vështirë është të largohesh nga atdheu, prandaj sot solidarizohemi me të gjithë ata që janë refugjatë nëpër botë”, thuhet në publikimin e tij.
Presidenti ka shtuar se në këtë ditë simbolike kujtojmë edhe qershorin e vitit 1999 kur qytetarët tanë u kthyen masivisht në atdheun e çliruar.
“Atdhedashuria e madhe e tyre ishte dëshmi e forcës së popullit dhe kombit tonë për t’u rimëkëmbur, duke nisur gjithçka nga fillimi!”, është shprehur ai.