Presidenti Hashim Thaçi, në një konferencë për media, ka thënë se kryeministri Kurti ia ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e ftuar për sot.
“Ai vetë e ka konfirmuar takimin të premten, madje edhe orën e ka kërkuar për në orën 13:00. Refuzimi i tij është vendim i tij, jo i imi. Unë do ta takoj kur mendon se është e nevojshme”, tha Thaçi.
Ai shtoi se as Kosova e qytetarët e vendit, e as partnerët ndërkombëtarë, nuk kanë kohë për të humbur për shkak të “hujeve apo tekeve të asnjërit nga ne”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i lumtur që tash SHBA-ja ka marrë rolin kyç në dialogun Kosovë – Serbi.
Ai tha se SHBA-ja gjithnjë ka qenë në tavolinën e bisedimeve, porse tash e ka rolin kryesor për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, e që do të rezultonte me njohje reciproke.
Thaçi ka folur edhe për takimet me liderët tjerë që i pati të mërkurën. Tha se ka marrë mbështetjen e secilit për proceset që po kalon vendi.
Ka çmuar konstruktivitetin e liderëve të LDK-së, Isa Mustafa, të AAK-së, Ramush Haradinaj, të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të AKR-së, Behgjet Pacolli, të Listës Serpska dhe të “6+”.
“Për të zgjeruar më tepër konsensusin politik dhe transparencën, sot kam pasur takim tepër të mirë e konstruktiv edhe me përfaqësuesit e listës serbe, me ministrin (Dalibor) Jevtiq dhe (Goran) Rakiqin. Roli i komunitetit serb është i rëndësisë se veçantë në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë qytetare, është me interes të bashkëpunojmë si në qeveri ashtu edhe në nivele lokale. Këto konsulta do t’i vazhdojmë”, ka thënë Thaçi.






