Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se shteti i Kosovës i ka mbështetësit e vetë – partnerët e vetë, por edhe kundërshtarët në rrugëtimin e  vetë euro-atlantik.

“Kosova të ardhmen e saj e ka në NATO dhe BE, po ece më hapa të ngadalshëm por  shumë të sigurt”, ka thënë Thaçi nga Tirana ku qëndroi për të dekoruar disa personalitete për nder të 20 vjetorit të çlirimit, njofton Klan Kosova.

Thaçi para gazetarëve ka folur edhe për marrëveshjen e mundshme të Kosovës me Serbinë.

“Dialogu duhet të zhvillohet i pa kushtëzuar, duhet në suaza të barabarta si dy vende të pavarura dhe sovrane. Vlerësoj iniciativën franko-gjermane dhe jam shumë inkurajues edhe me përkrahjen e plotë të SHBA-së. Një koordinim maksimal i BE-së dhe SHBA-së do të mund të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke”.

Sa i përket situatës së krijuar në Shqipëri për zgjedhjet lokale, presidenti kosovar, është shprehur: “Nuk jam këtu për të dhënë vlerësime për zhvillimet të brendshme. E dua Shqipërinë, gjithë kombi e do Shqipërinë stabile, unike. I mbetet popullit të Shqipërisë të vlerësojë zhvillimet”.