Sot ka ndërruar jetë ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh H.W Bush në moshën 94 vjeçare.

E presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin amerikan pas vdekjes së ish-presidentit të tyre.

Ai ndër të tjera ka theksuar se bota do ta kujtojë si patriot t pashoq dhe shembull të përkushtimit për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë.

I pari i Kosovës theksoi se Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA.

Ky është postimi i plotë i tij:

Popullit amerikan, në emër të qytetarëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush. SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe. HTH .