Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë i hapur për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se zgjerimi i BE-së nuk duhet të vihet në dyshim. Kur ka folur për Kosovën në Forumin e Budvës, “To be Secure” (2BS), presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka treguar vullnet dhe angazhim në procesin e bisedimeve në Bruksel dhe posaçërisht me votimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Së këndejmi, ne si Kosovë, nëse do t’i nënshtroheshim logjikës së populizmit, nuk do të angazhoheshim në dialog me Serbinë. Pra, nuk do të punonim në drejtim të një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtim me Serbinë. Po të përfilleshin ndjenjat populiste, demarkacioni i kufirit midis Kosovë dhe Malit të Zi nuk do të kishte kaluar kurrë në Kuvend”, thuhet në fjalimin e presidentit Thaçi.

Thaçi ka thënë se BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje trajtimit të krizave ekonomike, migracionit dhe qasjes ndaj politikave të zgjerimit.

Sipas presidentit Thaçi, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë zbatimin e reformave ekonomike dhe të përmirësojnë bashkëpunimin në çështjet e brendshme dhe të sigurisë për të parandaluar migracionin e paligjshëm.