Adresa e parë e qytetarëve që janë dëshmitarë të kryerjes së veprave penale është Policia e Kosovës. Ndihma është vetëm një thirrje larg, por kjo shpesh herë edhe keqpërdoret nga qytetarët, të cilët bëjnë deklarime të rrejshme lidhur me raste të ndryshme. Si pasojë e kësaj, një grua nga Ferizaj është arrestuar mbrëmë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se e dyshuara është 38-vjeçarja, Sanije Krasniqi, e cila ditë më parë kishte informuar rrejshëm Policinë se në një nga kafenetë e qytetit ka parë një person teksa kërcënon me armë një tjetër.

Kjo bëri që Policia t’i shkojë në derë për një kontroll kafenesë në fjalë, mirëpo gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Por Krasniqi ka vazhduar të këmbëngul se në lokalin në fjalë ndodhet një armë dhe si rrjedhojë është kryer edhe një tjetër bastisje në kafene, por që sërish s’është gjetur asgjë.

Si pasojë e kësaj, pikë shënjestër e hetimeve u bë pikërisht denoncuesja, në këtë rast, Sanije Krasniqi, e cila gjatë ditës së djeshme është paraqitur në stacion policor.

Para hetuesve Krasniqi ka thënë se deklaratën e rrejshme e ka dhënë nën ndikim të alkoolit dhe nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që ka pohuar.

Me urdhër të prokurorit, 38-vjeçarja është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lajmërim i rremë’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.