Lansimi i kamionçinës së re, Teslas nuk i ka shkuar ashtu si ka planifikuar, pasi xhami “anti-plumb” u thye gjatë testimit në transmetim direkt.

Shefi i Teslas, Elon Musk ka zbuluar kamionçinën 36 mijë eurosh në panairin e veturave në Los Angeles, transmeton Koha.net.

Ai ka marrë dizajnerin kryesor të kësaj veture, Franz von Holzhausen për të testuar dritaret anësore duke hedhur një top nga metali në to.

Pasi Holzhausen goditi dritaren e përparme ajo u thye menjëherë.

Musk reagoi duke thënë: “O zot. Ndoshta ajo goditje ishte pak si shumë”.

“Nuk kaloj tejpërtej, kjo është një anë e mirë”, shtoi ai.

Von Halzhausen pastaj testoi xhamin nga pas, e cila gjithashtu u thye.

Pastaj Musk duke bërë shaka tha: “Paska vend për tu përmirësuar”.

“Ne hodhëm pajisje të punëtorëve, ne realisht hodhëm edhe lavaman kuzhine mbi të e xhami nuk u thye. Por ai u thye tani…unë nuk e di pse”, shtoi ai.

Kamionçina Cybertruck ka një eksterier ‘lufte’ të bërë nga “çeliku inox 30X” e xham anti-plumb, sipas Teslas.

Cybertruck mund të arrij nga 0 në 100km/orë për vetëm 2.9 sekonda, sipas Musk.