Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për manipulim gjatë procesit të testimit për patentë shofer në Mitrovicë Veri.

Sipas njoftimit të policisë, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Stacionin Policor në këtë qytet, ka ndërmarrë veprime hetimore pasi është identifikuar një rast i dyshuar manipulimi gjatë testit për patentë shofer.

Dyshohet se një person kishte tentuar të hyjë në testin me shkrim në emër të një kandidati tjetër.

Pas ndërhyrjes së policisë janë arrestuar të dyshuarit, ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë dy telefona celularë dhe 2 mijë euro para të gatshme, të cilat dyshohet se lidhen me rastin.

Me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuar janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe të gjitha veprimeve të kundërligjshme.