Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë fshatin Qirez të Skenderajt, ku një 19 vjeçar dyshohet se ka tentuar ta vrasë një të ri pas një përleshjeje fizike. Burimet e Gazetës Sinjali brenda hetuesisë bëjnë me dije se viktima është therur gjashtë herë me thikë, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
Sinjali mëson se më 5 qershor, rreth orës 21:20, një qytetar ka telefonuar Policinë për të raportuar një rrahje mes disa personave në fshat. Në të njëjtën kohë, QKMF në Skenderaj ka njoftuar për një të plagosur që kishte kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e therjes me thikë.
Viktima, E. K, pasi mori tretmanin fillestar në Skenderaj, u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës e më pas në QKUK në Prishtinë, për shkak të plagëve të rënda në trup.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore të SP Skenderaj dhe të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë, të cilat kanë gjetur njolla gjaku, një thikë që mbyllet, që dyshohet se është arma e krimit, një pjesë pushke gjuetie, shkop druri dhe bisht lopate, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është F. Xh., 19 vjeçar, i cili u arrestua nga Policia dhe në dëshminë e tij ka thënë se kishte një konflikt të mëhershëm me viktimën. Ai deklaroi se E. K. kishte shkuar te shtëpia e tij në lagjen “Xhemajli” dhe aty kishte shpërthyer përleshja mes tyre. Gjatë rrahjes, ai e kishte therur viktimën në pjesë të ndryshme të trupit.
Vetë i dyshuari ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKMF në Skenderaj e më pas në spital për trajtim.
Një dëshmitar, agjë i të dyshuarit, ka deklaruar se ka qenë prezent në vendin e ngjarjes dhe ka pretenduar se është kanosur me pushkë gjuetie nga disa persona të përfshirë në rast. Sipas tij, ata madje kanë shtënë në ajër për ta frikësuar, por nuk është gjetur asnjë gëzhojë dhe dëshmitari nuk ka pësuar lëndime.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë” dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.