Lokale - eSIMy

Gazeta britanike “The Telegraph” ia ka kushtuar një artikull rrugëtimit të vështirë të futbollit të Kosovës deri te suksesi në Ligën e Kombeve.

“Rëndësia e vitit 2018? Përfaqësuesja e Kosovës mbyll vitin si e pamposhtur dhe ka shansin që të kualifikohet në Kampionatin Europian me rekord golash në Ligën e Kombeve dhe fitoi grupin”, shkruan “The Telegraph”.

Gazeta britanike ka shkruar edhe për mbushjen e kafeneve të Prishtinës me fansa para ndeshjes të cilën Kosova e fitoi 4 me 0 ndaj Azerbajxhanit.

“Shteti më i ri në Europë është dy fitore larg Europianit. Fillimisht luan me Maqedoninë, pastaj Gjeorgjinë ose Bjellorusinë”, shkruar “The Telegraph”.

Telegraph shkruan edhe për momentin kur Kosova në vitin 2016 po bëhej gati për të luajtur ndeshjen e parë zyrtare dhe se në përfaqësuese ishin vetëm 12 lojtarë ndërsa stadiumi në Prishtinë nuk ishte gati për garat ndërkombëtare, transmeton Koha.net.

“Tani loja e tyre e bukur ka përkrahës që e quajnë përfaqësuesen ‘Brazili i Ballkanit” shkruan The Telegraph që flet edhe për përzierjen e sportit dhe politikës në Kosovë.

“Në mëngjesin e ditës së ndeshjes, Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol, që paraqet vështirësi për njohje ndërkombëtare. Por kjo nuk i ndali fansat që të festonin frytet e dy dekadave rindërtim dhe suksesit të përfaqësueses që drejtohet nga zvicerani Bernard Challandes”, shkruan The Telegraph.

“Në mbrëmje politika nuk mund të ndalte suksesin e shtetit tonë”, ka thënë Arnolld Korenica për gazetën britanike, edhe pse politikanët që dështuan për Interpol u ngutën të shkonin në stadium për ta cilësuar fitoren si të tyren.

“Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami ishin në gjeneratën e lindur shumë herët për ta përfaqësuar Kosovën, por Arbër Zeneli i Heerenveenit, Milot Rashica i Werder Bremenit dhe portieri i Manchester Cityt, Arjanet Muriqi janë yjet potenciale që luajnë për Kosovën”, kujton Telegraph në artikullin e shkruar nga Daniel Zeqiri që tregon se përfaqësuesja e Kosovës nuk kishte asnjë lojtar më të vjetër se 30 vjet.

“Kjo reflekton popullatën e këtij vendi që ka moshën mesatare 27.8, më të rejën në Europë”, shkruan The Telegraph.