Drejtori menaxhues i Werder Bremenit, Frank Baumann, nuk pret vendim të shpejtë lidhur me mundësinë e transferimit të Milot Rashicës.

“Deri më tani asnjë klub nuk ka bërë ofertë zyrtare, me të cilën do të mund të merreshim ne”, ka thënë Baumann, raporton DPA.

Ai është shprehur shumë i relaksuar për të ardhmen e futbollistit më të vlerësuar të Werderit.

Për shkak të koronavirusit, Baumann pret që tregu i transferimit të lojtarëve të hapet shumë më vonë se zakonisht. Ai e di që lojtarë si Miloti “janë në listë të klubeve shumë interesante, edhe të atyre që luajnë në Ligën e Kampionëve”.

Drejtuesi i klubit gjerman nuk e ka përjashtuar mundësinë që Miloti të luajë te Werderi edhe edicionin e ardhshëm.

Ylli i Kosovës mund të largohet nga Bremeni këtë verë, në bazë të një klauzole në kontratën e tij. Kontrata është e vlefshme deri në qershor të vitit 2022. Klube si RB Leipzigu dhe Liverpooli është raportuar se po interesohen për Rashicën.