Lokale - eSIMy

Dy persona janë proceduar penalisht pasi në një aheng familjar në fshatin Gllamnik të Podujevës dyshohet se është përdorur armë zjarri, ndërsa Policia ka sekuestruar armë dhe municion.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur më 2 gusht, rreth orës 23:00, kur Policia ka pranuar informacione operative për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

Pas daljes në vendin e ngjarjes, njëri nga të dyshuarit ka pranuar se kishte shtënë tri herë me një pistoletë me gaz, të cilën më pas e ka dorëzuar vullnetarisht. Në vendngjarje janë gjetur edhe tri gëzhoja që dyshohet se i përkasin armës së përdorur.

Ndërkohë, i dyshuari tjetër ka deklaruar se posedonte një armë zjarri me pesë fishekë, të cilën gjithashtu e ka dorëzuar vullnetarisht. Ai ka pohuar para hetuesve se nuk kishte shtënë me atë armë.

Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas përfundimit të procedurave, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma, municioni dhe provat e tjera materiale janë sekuestruar. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.