Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë të trafikut ballafaqohen me qytetarë të cilët i kërcënojnë e pengojnë gjatë kryerjes së detyrës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Vushtrri, në orët e para të së martës, kur Policisë i doli punë që ta kap një person të dyshuar, të cilin e ndoqën nëpër qytet, raporton Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije gjithçka ndodhi derisa Policia po patrullonte afër një pompe të derivateve, kur një person shkoi me veturë afër automjetit zyrtar dhe më pas iku me vrull, duke ngritur kështu dyshime.

Kjo bëri që Policia të vihet në ndjekje të tij, derisa u kap në një pjesë të qytetit, me ç’rast hasën në rezistencë pasi i njëjti dyshohet se nuk përfilli urdhrat e Policisë për ta prezantuar dokumentacionin, me qëllim të verifikimit të tij. Ai madje dyshohet se edhe i ka shtyrë policët, çka bëri që njësia policore ta vë situatën nën kontroll duke e arrestuar.

Por nuk mbaroi me kaq. Sinjali mëson se policët u përballën me të dyshuarin edhe kur të njëjtin e morën për ta shoqëruar në stacion policor. Kjo pasi që ai po dyshohet se e ka thyer xhamin e automjetit të Policisë, duke e goditur me kokë.

I riu është shoqëruar në stacion policor dhe përveç tij, Policia ka arritur ta kap edhe një person që gjendej në veturën e të dyshuarit.

Lidhur me këtë rast, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar rastet “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe Asgjësim apo dëmtimi pasurisë”.