Pas gjashtë muajve të ndërprerjes së mësimit, nxënësit pritet të kthehen në shkolla të hënën e ardhshme.
Akterët institucionalë janë pajtuar që viti i ri shkollor të nisë më 14 shtator për disa klasa e më 21 për disa të tjera.
Vendimin për nisje të mësimit, pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësues të komunave dhe përfaqësuesve të SBAShK-ut ministri i Arsimit, Ramë Likaj, e ka quajtur të vështirë.
Likaj ka thënë se orari mësimor do të jetë i shkurtuar dhe varet edhe nga kapacitetet infrastrukturore e njerëzore të shkollave, raporton KOHA.
Në fazën e parë, më 14 shtator, do të fillojnë mësimin klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10-të.
Ndërsa për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale që të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca, varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje.
Faza e dytë do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7,8 e 9 të arsimit të mesëm të ulët dhe të klasave 11 e 12 të arsimit të mesëm të lartë.
Këto klasa do të vijojnë mësimin në formë të kombinuar, dy ditë në javë në objekte shkollore dhe tri ditë në formë të mësimit online.
Bazuar në udhëzuesit e MASH-it, mësimi do të ndërpritet në shkollat ku identifikohen raste me virus.
Ndërkohë instituti “EdGuard” ka thënë se rikthimi në shkolla do të ketë sukses vetëm nëse institucionet komunikojnë dhe argumentojnë për siguri.
Sipas këtij Instituti, zgjatja e vendimit për rikthim në shkolla është kthyer në frikë dhe paqartësi te qytetarët.