Alexander Esteso Perez, pjesë e projektit Kraf të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur në Prishtinë dhe pjesë e ekipit mësimor “Gjeopolitika e konflikteve të ngrira” në Universitetin e Complutense të Madridit ka publikuar në gazetën e famshme spanjolle “El Pais” një analizë për atë se si po shkrihen raportet në mes të Madridit dhe Prishtinës zyrtare.

Perez shkruan se tashmë Spanja gjendet para një skenari optimal për të filluar gjurmimin e rrugës diplomatike me Kosovën, gjë që s’ka ndodhur më parë. Siç thuhet në këtë artikull, Spanja tashmë është e përgatitur për të filluar procesin e shkrirjes së raporteve diplomatike me Kosovën dhe se tashmë është koha më e përshtatshme.

Sipas autorit, hapi i parë është bërë tashmë. Kur e thotë këtë ai kujton deklaratën e sekretarit të atëhershëm të Spanjës për BE-në, Juan Gonzales Barba, i cili ka thënë se Spanja po e përgatit një afrim me Kosovën.

“Strategjia jonë me Ballkanin Perëndimor është e paplotë nëse vazhdojmë ta injorojmë Kosovën. Ne jemi duke rishikuar modalitetet e ndryshme të afrimit si shtet anëtar që nuk njeh”, kishte thënë Barba duke shtuar se “vendimi do të merret së shpejti dhe do të shpallet”, transmeton express.

Një deklaratë e tillë kishte bërë jehonë ne mediat kosovare, duke lënë të kuptohet si një fillim të shkrirjes së raporteve me Spanjën si arra më e vështirë për t’u thyer mes vendeve jonjohëse të BE-së

Perez thotë se fjalët e thëna nga Barba tregonin provën e qartë se tashmë çështja e Kosovës kishte arritur në tryezën e Ministrisë së Jashtme të Spanjës, pavarësisht se ishte konsideruar në të kaluarën një temë tabu për Qeverinë, aq tabu thotë Perez sa që konsiderohej edhe e harruar.

Megjithatë Barbas nuk i ka rënë të qëndrojë gjatë në pushtet dhe është zëvendësuar me diplomatin Pascual Navarro.

Perez thotë se që pas emërimit të Navarros nuk është folur më për Kosovën.

Të gjithë sytë janë te Spanja

Tutje Perez shkruan se një prej detyrave kryesore të Navarros do të jetë përcaktimi i kursit të Presidencës së radhës të Bashkimit Evropian që Spanja do ta mbajë në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Ai thotë se të gjithë sytë janë te Spanja për të pritur një Samit të ri BE-Ballkani Perëndimor në vitin 2023.

Perez kujton faktin se organizimi i Samiteve me Ballkanin është bërë tashmë edhe traditë, derisa kujton kohën kur në vitin 2018 mungoi Mariano Rajoy shkaku i Kosovës, derisa në vitin 2020 dhe 2021, kryeministri Pedro Sanchez mori pjesë.

Autori tutje shkruan se Spanja duhet të fillojë heqjen e pluhurit nga strategjia politike për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të synojë mbajtjen e një Samiti të ri BE-Ballkani Perëndimor në territorin e saj. Perez thotë se ky do të ishte një samit të cilin Kosova nuk do ta humbiste.

Në fund, Perez thotë se është koha që Madridi zyrtarë të fillojë të studiojë afrimin me institucionet e Kosovës dhe të krijojë një kornizë të mundshme për raporte dypalëshe.