Lokale - eSIMy

Deputetët e Listës Serbe, si dhe ministri për Kthim dhe Komunitete kanë bërë të ditur se të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës duke përfshirë policinë do të pezullojnë punën, deri sa të shfuqizohet vendimi për suspendimin e gjykatëses serbe, Liljana Stevanovic, e cila mori pjesë në takimin me presidentin serb, Vucic.

Këtë e ka bërë të ditur ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ku tha se përveç njerëzve nëpër institucione, pozitat e tyre do t’i ngrijnë të gjithë gjyqtarët dhe punëtorët serbë.

“I dërgoj një mesazh Albin Kurtit, Policisë së Kosovës se nuk do të na frikësoni. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë shqiptarët në Kosovë. Duam paqe. Dua të theksoj se për herë të parë nuk kemi arritur një marrëveshje me presidentin Aleksandar Vuçiq për tu larguar nga institucionet e Kosovës. Edhe sot i kemi kërkuar të njëjtën gjë, por ai ka kërkuar që mos ta bëjmë. Dua të theksojë se të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës duke përfshirë policinë do të pezullojnë punën deri në kthimin e Liljana Stevanoviq”, tha ai.

Tutje, ai tha se protesta ishte e qetë, por njerëzit janë të frikësuar për fëmijët dhe jetën e tyre.

Protesta e serbëve ka filluar rreth orës 12:00, ata janë duke protestuar pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Në protestë janë duke marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Ndryshe, sot përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një deklaratë për media kanë shprehur qëndrimin e tyre për protestat e paralajmëruar për sot në veri të vendit, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës.