Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, ku ishte i pranishëm edhe kryetari Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu , drejtorët e drejtorive, organizata të huaja e vendore dhe media, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.
Meqenëse sot mbledhja e kuvendit komunal ka korespoduar me 26 vjetorin e rënies heroike të tre dëshmorëve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe kryesuesi i kuvendit komunal Hilmi Hoxha kanë mbajtur një fjalë rasti.
Kryetari Bulliqi gjatë fjalës së tij tha: “ Me 1 nëntor të vitit 1962, me 22 qershor 1962 dhe me 10 tetor 1975 u lindën Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, me kontributin dhe sakrificën për lirinë e atdheut ata u bënë pjesë e pandashme e secilës familje shqiptare, ndërsa madhështia e veprave të tyre për çlirim i bënë të nderuar e të dashur gjithandej ku flitet shqip. Arsyeja pse përmenda ditëlindjet e tre dëshmorëve është sepse në librat më të mira që janë dedikuar dëshmorëve thuhet se dëshmorët kanë vetëm ditëlindje, ndërsa datat e rënieve të tyre vetëm vulosin emrat e tyre në përjetësi”.
I bekuar qoftë kujtimi për Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën dhe të gjithë heronjtë dhe të rënët për liri!” përfundoi kryetari Bulliqi.
Ndërsa kryesusi Hoxha tha se “Ne përfaqësuesit e qytetarëve të Komunës së Podujevës, sikurse edhe gjithë qytetarët e komunës, dhe gjithë Kosovës, i kujtojmë me krenari tri figurat kombëtare me në krye komandantin e UÇK-së, Zahir Pajaziti, të cilët me veprën e tyre heroike u bënë pjesë e historisë së lavdishme të Kosovës. Në shenjë nderimi në fillim të kësaj mbledhje në nderim te veprës së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, dhe Edmond Hoxha, kërkoj një minutë heshtje” tha kryesuesi Hoxha.
Para fillimit të miratimit të rendit të ditës u paraqitën disa propozime nga anëtarët e kuvendit për përfshirje në rend dite, mirëpo me të dal në votim u përkrah vetëm pika e shefit të grupit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Haki Rudari, e cila ishte: “Kuvendi Komunal rekomandon MFPT-së faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro për qytetarët e Komunës së Podujevës”.
Gjatë mbledhjes së kuvendit komunal u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës;
Propozim Rregullore për Transportin e udhëtarëve me automjete taksi, Propozim Rregullore për Transportin rrugor në territorin e Komunës së Podujevës, Propozim Vendim për caktimin e rrjetit të linjave urbane, urbano-periferike dhe orarin e qarkullimit, Kerkesa – Nisma e procedurës për bashkëpunim ndër-komunal mes Komunave; Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq – Propozim vendim per miratimin e Nismës për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal
– Propozim vendim për Autorizimin e Kryetarit te Konumës per fillimin e konsultimeve për themelimin perkates të bashkëpunimit ndër-komunal, Propozim Vendim për shpalljen në interes publik – pronat që preken nga projekti per ndertimin e rrugës lidhëse nga magjistralja Prishtinë – Podujevë deri të rruga “Vëllezërit Frashëri”, Propozim Vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Palestrës Sportive në Qytetin e Podujevës, Propozim Vendim për ndarien e mjeteve financiare Ndërmarrjes Publike – Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” sh.a, Propozim Vendim për ngritjen e komisionit përzgjedhës – për zhvillimin e procedurave për perzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës drejtoreve ne institucionet publike edukativo – arsimore, Propozim Vendim – për destinimin e paluajtshmërisë për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale, Propozim Vendim per vënie në diskutim publik draft Programi Trevjeçar i Banimit 2023- 2025, Propozim Vendim për vënie në diskutim publik draft Plani Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave 2023-2027
,
Plotësim ndryshimi i përbërjes së Komitetit për Barazi Gjinore (pas dhënies së dorëheqjes se znj.Drita Pajaziti për shkak të emërimit anëtare në Komitetin për Politikë dhe Financa, në të cilën përbërje u propozua asamblisja Lirika Maliqi e cila mori përkrahjen e mjaftushme nga anëtarët e kuvendit).
Poashtu u miratua propozimi i asamblistit, Haki Rudari për t’i rekomanduar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro për qytetarët e Komunës së Podujevës për vitin 2023.
Ndërsa kryesuesi i kuvendit komunal Hilmi Hoxha, prezantoi raportin e punës së kuvendit të Komunës për vitin 2022.
Te pika të ndryshme asamblistët diskutuan dhe iu drejtuan pyetje anëtarëve të ekzekutivit për çështje të ndryshme infrastrukturore./Llapi.info






