Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar në Facebook për vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Postimin e ka nisur me vendimin për lehtësimin e procedurave për mjekët nga diaspora.

“Me dy vendime lehtësuam angazhimin në institucionet tona të profesionistëve e bashkatdhetarëve tanë, për të sjellë kontributin e tyre profesional e akademik në Republikën tonë të përbashkët”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka bërë me dije se në këtë mbledhje kanë miratuam pesë projektligje, dy rregullore, si dhe tri nisma për negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Mbledhja e 99-të

Me dy vendime lehtësuam angazhimin në institucionet tona të profesionistëve e bashkatdhetarëve tanë, për të sjellë kontributin e tyre profesional e akademik në Republikën tonë të përbashkët.

Miratuam Strategjinë e Arsimit 2022-2026 për nevojat zhvillimore të sektorit të arsimit për periudhën vijuese pesëvjeçare.

Ndamë mjete për pagesë për orët shtesë të grumbulluara mbi normë për Policinë e Kosovës.

Gjithashtu, ndamë mjete edhe për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas kërkesave të tyre.

Për zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos në Republikën e Kosovës, miratuam programin “Kosova, Shtet i Xhudos”.

Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë është ndër projektet më të rëndësishme nacionale. Në mbledhjen e sotme vendosëm datën e fillimit dhe përfundimit të regjistrimit: 1 shtator – 16 tetor 2023.

I propozuam Kuvendit të Republikës së Kosovës anëtarët e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Schengen, do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës, për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës.

Themeluam Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve të Shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.

Emëruam Komisionin e Pranimit për institucionet e administratës shtetërore për Grupin specialist të shkencave shoqërore

Miratuam pesë projektligje, dy rregullore, si dhe tri nisma për negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.