Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se kanë informacione që në çerdhet e Kosovës mund të ekzistojnë lodra të cilat janë të rrezikshme për fëmijët.

Ministri Shala shtoi se për të vërtetuar dyshimet, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) do të bëjnë inspektime nëpër çerdhe të Kosovës.

“Do të vazhdojmë ta kemi fokus çështjen e lodrave dhe tash planifikojmë të bëjmë inspektime edhe nëpër çerdhe. Pa dashur të krijojmë panik te qytetarët, por kemi informacione se lodra të tilla ka edhe nëpër çerdhe. Për këtë keni biseduar edhe me MASHT-in që t’i nisim inspektimet”, tha ministri sot në raportim para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Ndërkaq, anëtarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami nga LDK, tha se dyshon që përveç atyre që janë asgjësuar, ende ka mjaft lodra të tilla në treg.

“Mënyra më e mirë është që këto lodra të ndalohen në pika doganore, pasi nuk ka shanse qe inspektorët të arrijnë t’i kontrollojnë të gjitha lodrat”, tha Bajrami.

Ndërkaq, ministri Shala deklaroi se deri më tash janë ndaluar në doganë 18 kontingjente me lodra të dyshimta dhe të cilat nuk i përmbushin standardet e Bashkimit Evropian.