Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i lehtësuar nga Bashkimi Evropian pritet të rifillojë të enjten në Bruksel, kanë konfirmuar burime jozyrtare në Prishtinë dhe Bruksel.

Pala kosovare ka shumë të ngjarë të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

Ende nuk ka konfirmim kush do të jetë përfaqësuesi i Beogradit zyrtar, shkruan Radion Evropa e Lirë.

Ky raund do të organizohet përpara se palët të udhëtojnë në Uashington për të marrë pjesë në një proces negociator të ndërmjetësuar nga i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Vazhdimi i dialogut në Bruksel, pason vizitën e përfaqësuesit të posaçëm BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.

Lajçak tha në Prishtinë javën e kaluar se ai i dinte datat e dialogut, por se ai do t’i bënte publike ato pas konsultimit me palët. Ai pas bisedimeve me zyrtarët e lartë shtetërorë tha se askush nuk mund t’i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së, andaj sipas tij, blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, të thirrur nga i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell, Lajçak tha se ka dëgjuar për atë iniciativë, “por që ata nuk ishin këshilluar për të dhe nuk komentoj iniciativat e të tjerëve”.

Lajçak të hënën po qëndron në Beograd ku është planifikuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo raund i bisedimeve në Bruksel do të shënojë rifillimin zyrtar të dialogut, i cili është pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të vendosjes së taksës prej 100 përqind të mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovinën nga ish qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Taksa u shfuqizua më pas, sikurse edhe masat e reciprocitetit që u vendosën nga qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurtit.